Rreth nesh

Agjencia për Zhvillimin Ekonomik Rajonal (AZHER) është person juridik publik, me seli në Tiranë, në varësi të Këshillit të Ministrave, që e shtrin veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

AZHER u krijua nëpërmjet reformës së menaxhimit rajonal, si një mekanizëm zhvillues dhe implementues i programeve dhe projekteve me qasje territoriale. Qëllimi kryesor i AZHER është menaxhimi dhe zhvillimi i potencialeve ekonomike rajonale, duke u fokusuar në dy rezultate kryesore:

  • krijimin e vendeve të reja të punës
  • krijimin e sipërmarrjeve të reja dhe zhvillimin e atyre ekzistuese duke sjell impakt në ekonomitë lokale dhe rajonale.

Modeli strategjik i AZHER inkurajon krijimin e partneriteteve midis aktorëve të ndryshëm publik dhe privat, si dhe koordinon programet e qeverisjes qëndrore dhe asaj lokale me programet e donatorëve ndërkombëtarë dhe me investimet e sektorit privat. Pjesë e modelit strategjik te AZHER është dhe rritja e vlerës së aseteve publike, burimeve natyrore e njerëzore që cdo rajon mbart brënda territorit të vet.

AZHER është bazuar në modelin e suksesshëm të kompanisë WiBug, në pronësi të qeverisë së Burgenland-it në Austri, e cila ka arritur të menaxhojë një portofol mbi 4 miliard Euro në projekte zhvillimore duke e kthyer Burgenland-in në një histori suksesi Europian. WiBug ka qenë gjithashtu shumë kompetent në përthithjen e fondeve të BE-së, me një normë absorbimi prej 99.7%, duke luajtur rolin e një koordinatori mes fondeve te BE-së dhe sektorit privat në Burgenland.

Reforma e menaxhimit rajonal që aktualisht po ndërmerr Qeveria Shqiptare, është në një linjë me pergatitjen e vendit drejt politikës së kohezionit të Bashkimit Europian, me kerkesat insitucionale të Fondit Europian të Zhvillimit Rajonal (ERDF) dhe kapitullit 22 “Politika rajonale dhe koordinimi i instrumentave strukturorë.”

Misioni dhe vizioni: Agjencia synon që përmes nxitjes së partneriteteve publike-publike, publike-private dhe private-private, të rrisë impaktin e investimeve dhe të zhvillojë aktivitete ekonomike të cilat nxisin potencialet e ekonomisë rajonale, me objektiv krijimin e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin e sipërmarrjeve.

Postuar: 10/9/17 9:20 AM | Perditesimi i fundit: 10/16/17 12:00 PM