Qendra Multifunksionale

Qyteti i Tiranës, vec të tjerash, është shtëpia dhe destinacioni i shumë studentëve të rinj dhe të reja nga e gjithë Shqipëria, ku nuk mungon dhe shpirti sipërmarrës i secilit prej tyre. Mungesa e hapësirave të përbashkëta të punës, si ambiente që nxisin inovacionin, bashkëpunimin dhe shkëmbimin e ideve dhe kontakteve, është një nevojë që duhet adresuar sa më shpejt në mënyrë që dhe Tirana të ecë me të njëjtat hapa zhvillimi ekonomik dhe novator si kryeqytetet e tjera moderne.

Ky projekt synon ngritjen e një qendre multifunksionale shërbimesh për sipërmarrjet e reja në qytetin e Tiranës.
Një qendër e tillë ka impakt kombëtar, ku target grupi kryesor janë të rinjtë e të rejat nga e gjithë Shqipëria që kanë shpirtin sipërmarrës dhe ide novatore.

Koncepti i hapësirave të përbashkëta të punës (“Co-working spaces”), është një trend dhe një stil i ri i të punuarit që po afirmohet si formë e sukseshme në nxitjen e sipërmarrësve të rinj dhe ideve novatore. Në mënyrë tipike, sipërmarrësit, profesionistët që punojnë nga shtëpia, kontraktorët e pavarur ose personat që udhëtojnë shpesh, për shkak të mungesës së alternativave, punojnë në ambjente relativisht të izoluara. Ofrimi i hapësirave të tilla, jo vetëm që do të stimulojë komunikimin, bashkëpunimin dhe shkëmbimin e ideve, por do të ofrojë mundësinë e mbështetjes se njëri-tjetrin duke krijuar një ndjenjë të fortë komuniteti dhe përkatësie.
Modeli i propozuar është mbështetur në shqyrtimin e modeleve të reja më të mira për promovimin e sipërmarrjes, të zbatuara me sukses në qytete të tilla si: Berlin, Hamburg, Sofje, Barcelonë, etj. dhe të konsideruara si një alternativë më e favorshme ndaj modelit të qirasë apo punës nga shtëpia.

Lokacioni ku mendohet të kryhet ndërhyrja ndodhet afër një prej arterieve kryesore të Tiranës, 1000 metra nga bulevardi qëndror, në një zonë të përzier me ndërtesa qeveritare dhe akademike, e ndërtuar në fillim të viteve 80-të, si pjesë e Institutit të Studimeve Teknologjikë të Ndërtimit.

Objektivat specifikë:
1) Krijimi i një qendre multifunksionale për sipërmarrjet e reja, si një model të replikueshëm në Shqipëri dhe në të gjithë rajonin.
2) Nxitja dhe mbështetja e ekonomisë rajonale, ekosistemit sipërmarrës, krijimtarisë dhe inovacionit duke krijuar një hapësirë bashkëpunuese dhe një pike lidhëse për TIK, teknologjitë e reja, lëvizshmërinë, etj.

Foto nga gjendja ekzistuese e godinës

 

Postuar: 10/13/17 10:55 AM | Perditesimi i fundit: 12/14/17 4:21 PM