Pjesëmarrja në PPP

Në Republikën e Shqipërisë koncepti i koncesioneve është disi më i njohur se ai i partneriteteve publike private, duke qenë se ka qenë i parashikuar më herët nga legjislacioni, ndërkohë që koncepti i PPP ka hyrë së fundmi në legjislacionin shqiptar. Për këtë arsye, kontratat e koncesionit kanë një historik më të konsoliduar dhe janë përdorur më shpesh nga administrata publike.

Për cdo projekt koncesioni apo PPP që i propozohet AZHER, i kërkuar ose i pakërkuar, Agjencia për Zhvillim Ekonomik Rajonal (RED) bën një analize specifike për fizibilitetin e projektit dhe identifikimin e formës dhe llojit më të përshtatshëm të kontratës.
Termi partneritet publiko-privat i referohet rasteve kur sektori publik dhe privat veprojnë bashkërisht për sigurimin e investimeve dhe/ose financimit të punëve apo shërbimeve publike dhe/ose projektimin, operimin dhe menaxhimin e punëve ose të shërbimeve publike. Përcaktimi i Bankës Botërore i përshkruan PPP si “një mekanizëm për qeverinë për të prokuruar dhe zbatuar projekte të infrastrukturës dhe/ose shërbimeve publike duke përdorur burimet dhe ekspertizën e sektorit privat“. Pra, PPP kombinon aftësitë dhe burimet e të dy sektorëve; publik dhe privat nëpërmjet ndarjes së rreziqeve dhe përgjegjësive”.

Bazuar në Ligjin nr. 125/2013 “Për Koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat” i ndryshuar, format e ndryshme të partnerit publik privat, përfshirë edhe koncesionet, realizohen nëpërmjet lidhjes së kontratave midis autoriteteve kontraktuese dhe partnerëve privatë. Palët në kontratë mund të përcaktojnë lirisht përmbajtjen e saj, brenda kufijve të vendosura nga legjislacioni.

Postuar: 10/13/17 10:37 AM | Perditesimi i fundit: 12/4/17 10:21 AM