Ndërmarrjet Mikro, të Vogla dhe të Mesme

Nënprogrami i mbështetjes financiare për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM), pjesë e programit “Mbështetje për Ekonominë”, i cili përbëhet nga 2 skema, ka të alokuar vlerën prej 400 000 000 (katërqind milionë) lekësh, për vitin 2017, e cila do të administrohet sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi, nga Agjencia për Zhvillim Ekonomik Rajonal (AZHER).
Skema I: “Mbështetje për NMVM për krijimin e zonave të përmirësuara të biznesit” synon të nxisë zhvillimin ekonomik rajonal, lokal si dhe punësimin, përmes krijimit / përmirësimit dhe transformimit të Zonave të Përmirësuara të Biznesit si masë shoqëruese në zona ku janë kryer ose po kryhen investime infrastrukturore nga Fondi për Zhvillimin e Rajoneve, duke rritur potencialin e tyre të konkurrueshmërisë rajonale dhe duke nxitur aktivizimin e kapitaleve.
Koncepti i Zonave të Përmirësuara të Biznesit, i aplikuar me sukses në shumë vende të botës dhe i iniciuar vitet e fundit në Shqipëri, ka si qëllim krijimin e poleve të zhvillimit nëpërmjet mbështetjes së këtyre sipërmarrjeve me grante dhe me anë të forcimit të partneritetit dhe bashkëpunimit midis qeverisjes lokale dhe sipërmarrjeve.
Duke aplikuar këtë model në zona me potencial të lartë turistik dhe zona të rëndësishme historike, ndërhyrja krijon një rikthim eksponencial mbi kapitalin e investuar e shprehur në rritje të aktivitetit ekonomik, tregtar dhe në vizitueshmërinë e këtyre zonave.

1. Kush mund të aplikojë ?
Për skemën e parë “Mbështetje për NMVM për krijimin e zonave të përmirësuara të biznesit” mund të aplikojnë ato subjekte, që ndodhen brenda zonave të përmirësuara të biznesit të përcaktuara për këtë thirrje, që klasifikohen si sipërmarrje mikro, të vogla apo të mesme sipas legjislacionit në fuqi dhe që provojnë mundësinë e bashkëfinancimit të 50% të kostove të projektit.
Koha e zbatimit të investimit për të cilin kërkohet granti është maksimumi 3 muaj para hapjes së thirrjes dhe deri në 4 muaj mbas hapjes së thirrjes. Që do të thotë që projekti i biznesit mund të ketë filluar deri ne 3 muaj përpara hapjes së kësaj thirrjeje dhe duhet të përfundojë deri në 4 muaj pas datës së hapjes së thirrjes. Faturat e gjithë këtij intervali kohor pranohen si të rimbursueshme nga ky grant.

2. Drejtimet e thirrjes dhe Zonat
Drejtimet e thirrjes janë për grante që nxisin zhvillimin ekonomik lokal dhe rajonal, si dhe punësimin. Kjo përmes krijimit dhe transformimit të zonave të përmirësuara të biznesit, si masë shoqëruese e investimeve infrastrukturore, në zona si:
a) pazaret, tregjet, markatat, njësitë territoriale dhe ekonomike të ngjashme;
b) rrugët tregtare, bulevardet, pedonalet, sheshet;
c) zonat rrotull atraksioneve historike, të trashëgimisë kulturore, kalave etj; objekteve me rëndësi kombëtare;
d) zonat e rehabilituara pranë ballinave ujore dhe natyrore, me potencial turistik dhe shërbimesh;

Zonat e përzgjedhura për këtë thirrje të parë janë:
1. Tiranë – Pazari i Ri dhe Rruga “Luigj Gurakuqi”
2. Korcë – Pazari i Vjetër dhe Bulevardi “Republika”
3. Vlorë – Lungomare (seksioni 1 / 2)
4. Elbasan – Rruga “Egnatia” dhe Kalaja e Elbasanit

3. Si bëhet Aplikimi ?
Aplikimi bëhet në dy mënyra:
a. Online, në emailin zyrtar të AZHER, info@red.gov.al; ose
b. Me shkresë zyrtare (me postë ose protokollim dorazi), ku dosja e plotë e aplikimit (edhe në CD) dorëzohet pranë zyrave të Agjencisë.
Në rastin e aplikimeve dorazi, i gjithë dokumentacioni duhet të dorëzohet në zyrat e AZHER në 2 (dy) kopje të mbyllura, brenda afateve dhe orareve zyrtare.
Agjencia për Zhvillim Ekonomik Rajonal (AZHER) mund të orientojë dhe asistojë plotësimin e dokumentacionit të kërkuar me kërkesë të aplikuesit, në zonën që mbështet programi. Kjo do bëhet përgjatë gjithë procesit të aplikimit, për të siguruar më tepër qartësi rreth programit.

4. Dokumentacioni
Dosja e aplikimit (ose skedari i aplikimit), duhet të përmbajë:
1. Formularin e Aplikimit bashkë me:
o Fotokopje e kartës së identitetit/pasaportës të administratorit;
o Dokument/ekstrakt nga Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) (që përmban dhe NUIS) lëshuar jo më herët se 30 ditë përpara dorëzimit të aplikimit;
o Fotokopje të Licencës nga Qendra Kombëtare e Licensimit (QKL) për veprimtarinë e pranueshme (sipas listës së AZHER), në rastin kur kërkohet nga legjislacioni në fuqi dhe nëse biznesi nuk është start-up;
o Dokument që vërteton se nuk ka detyrime tatimore;
o Vërtetim origjinal ku provohet se i ka përmbushur detyrimet e pagesës së taksave (kontributet shoqërore, shëndetësore), lëshuar jo më herët se 30 ditë përpara dorëzimit të aplikimit;
o Çertifikatë pronësie të objektit ku ushtrohet aktiviteti ose kontratë qiraje me afat të paktën edhe 1 vit nga data e aplikimit për grant;
o Deklaratë që dhënia e grantit do të administrohet në përputhje me qëllimet e nënprogramit përkatës.

2. Modelin e Planit të Biznesit, bashkë me:
o Modelin e planit të investimit
o Modelin e projeksionit të shitjeve pas investimit
Formatet e dokumentave të mësipërm jepen të gatshme nga Agjencia. Gjithashtu, punonjësit e Agjencisë mund të ndihmojnë aplikuesit në plotësimin e këtyre formularëve, si pjesë e mbështetjes teknike.

5. Verifikimi
Pas verifikimit nëse të gjitha dokumentet janë dorëzuar sipas kërkesës, AZHER i komunikon aplikuesit pranimin e aplikimit, e pajis atë me një numër unik aplikimi, si dhe njofton aplikuesin se aplikimi i pranuar kalon në fazën e vlerësimit për financim.
Nëse një aplikues nuk i ka dorëzuar të gjitha dokumentet e nevojshme, AZHER mund t’i japë aplikuesit një afat deri në 5 ditë kalendarike, por gjithmonë brenda afatit të mbylljes së aplikimeve, për të plotësuar dokumentacionin e munguar.
Aplikimet e paplota, nuk do të kalojnë në fazën e vlerësimit.

6. Sa ditë do rrijë e hapur thirrja ?
Thirrja do rrijë e hapur për 30 ditë nga momenti i shpalljes.

7. Kur do shpallen fituesit ?
5 ditë pas mbylljes së thirrjes, Agjencia do nxjerë listen finalë te përfituesve të grantit si dhe do i njoftojë subjektet përkatëse për hapat e mëtejshëm.

8. Cilat janë kriteret e vlerësimit të një aplikimi ?
Vlerësimi maksimal për cdo projekt është 100 pikë. Kriteret që përdoren për vlerësimin e aplikimeve nga autoriteti vlerësues janë si mëposhtme:

1. Kontributi i projektit në planin e ndërhyrjes në zonë. Ky kriter vlerësohet nga 0 deri në maksimalisht 30 pikë.
2. Ndikimi i projektit, lidhja me avantazhet konkuruese të zonës, efektin e pritshëm në punësim dhe në rritje të kapaciteteteve të prodhimit apo shërbimit, vlera e shtuar. Ky kriter vlerësohet nga 0 deri në maksimalisht 30 pikë.
3. Projekt – ideja/inovacioni i projektit, bazuar në analizën e tregut dhe të potencialeve konkuruese të zonës. Ky kriter vlerësohet nga 0 deri në maksimalisht 20 pikë.
4. Kthyeshmëria e projektit, aftësia menaxhuese për zbatimin me sukses të projektit, kapacitetet financiare dhe qëndrueshmëria e projektit. Ky kriter vlerësohet nga 0 deri në maksimalisht 20 pikë.

Këto kritere detajohen në nënkriteret përkatëse nga autoriteti që kryen vlerësimin.

Postuar: 10/13/17 10:50 AM | Perditesimi i fundit: 12/10/17 10:09 PM