Mbështetje për Ekonominë

Qëllimi i Programit:
Programi “Mbështetje për Ekonominë” ka për qëllim kryesisht të nxisë zhvillimin e ekonomive rajonale/lokale si dhe punësimin. Ky program ka një qasje territoriale me fokus zhvillimin e zonave të të bërit biznes dhe poleve të zhvillimit ekonomik lokal dhe rajonal. Këto masa do jenë shoqëruese në zonat ku kryhen investime infrastrukturore nga Programi i Infrastrukturës Vendore dhe Rajonale.
Objekti kryesor i Programit përcaktohet sipas pikës 3 të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 580 datë 03.08.2016.
Në kuadër të këtij programi, Agjencia për Zhvillim Ekonomik Rajonal, në bashkëpunim me njësitë e qeverisjes vendore dhe agjenci të tjera të zhvillimit rajonal, analizon, koordinon, mbështet, monitoron dhe ndërlidh proçeset respektive për krijimin e poleve të reja të zhvillimit ekonomik. Në disa raste, vetë njësitë e qeverisjes vendore do ndërmarrin iniciativën për krijimin e këtyre poleve të zhvillimit ekonomik, duke përdorur dhe shfrytëzuar edhe asete të tjera publike që mund t’i kenë në dispozicion por që mund të mos jenë shfrytëzuar deri në atë moment për mungesë të nismës zhvillimore të biznesit, ndërlidhjes ose instrumentave asistues financiarë.

Nën-Programet dhe Skemat e Programit:
Programi Mbështetja për Ekonominë Rajonale, ndahet në dy nënprograme si vijon:
1) Nën-programi: “Financimi i pjesëmarrjes në shoqëri tregtare dhe instrumente të financimit për bizneset start-up”. Ky nënprogram u mundëson njësive të qeverisjes vendore, që në bashkë-financim me Agjencinë për Zhvillim Ekonomik Rajonal, të krijojnë aktivitete ekonomike dhe tregtare të tyret dhe ose të përbashkëta, me qëllim zhvillimin e potencialeve ekonomike të zonës së tyre.

2) Nënprogrami: “Mbështetje financiare për ndërmarrjet mikro të vogla dhe të mesme (NMVM)”. Ky nënprogram, i cili financon me grant direkt njësitë tregtare private dhe/ose njësitë ekonomike të njësive të qeverisjes vendore, ka për qëllim rigjallërimin e aktiviteteve ekonomike të NjQV, krijimin e poleve të zhvillimit ekonomik lokal dhe rajonal, në funksion të krijimit të vendeve të reja të punës si dhe të rritjes së të ardhurave për njësitë e qeverisjes vendore.
Ky nënprogram përbëhet nga 2 skema financimi si mëposhtë.

Nënprogrami Skemat Format e financimit Vlera e financimit
II. Mbështetje financiare për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM) 1. Mbështetje për NMVM për krijimin e zonave të përmirësuara të biznesit Grant për investime

Grant për asistencë teknike për zhvillim dhe menaxhim

50% e vlerës totale të investimit

Deri në 2,5 milion lekë/projekt

2. Mbështetje për projekte të njësive ekonomike të njësive të qeverisjes vendore Grant për investime

Grant asistencë teknike për zhvillim dhe menaxhim

50% e vlerës totale të investimit

Deri në 30 milion lekë/projekt

Gjithashtu Agjencia për Zhvillim Ekonomik Rajonal do të ofrojë paralelisht asistencë teknike për zhvillimin e projekteve të territorit përkatës, direkte ose duke koordinuar programe të tjera nga partnerët për zhvillim apo institucione të tjera publike.
Nënprogrami i mbështetjes financiare për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM), pjesë e programit “Mbështetje për Ekonominë”, i përbërë nga 2 skema si mësipër, ka të alokuar vlerën prej 400 000 000 (katërqind milionë) lekësh për vitin 2017, shumë e cila do të administrohet sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi nga Agjencia për Zhvillim Ekonomik Rajonal (AZHER).

Postuar: 10/13/17 10:49 AM | Perditesimi i fundit: 12/10/17 9:21 PM