Grante

RED ofron 2 skema grantesh për mbështetjen e zhvillimit ekonomik rajonal.

Skema I u vjen në ndihmë bizneseve NMVM në zona historike/turistike, ku ka patur mëparë investime infrastrukturore nga FZHR (sidomos ne zonat e pazareve, shesheve, pedonale e qendra qytetesh).
Këto biznese mund të përfitojnë grante deri në 50% të vlerës totale të investimit, por jo më shumë se 2.5 milion lekë / projekt.
Këto grante synojnë të rrisin punësimin nga bizneset përfituese të financimit, të cilat përzgjidhen në bazë të projekt-ideve që paraqesin. Kjo përzgjedhje bëhet sipas modelit të vlerësimit të ndërtuar nga Agjencia per Zhvillim Ekonomik Rajonal.
Kjo skemë grantesh ka për qëllim edhe nxitjen e krijimit të shoqatave të formës Business/Tourism Improved District (BID/TID). Vlerësimi në këtë skemë grantesh bazohet tek qëllimi, objektivat, mjetet, produktet financiare, indikatorët e matjes se performances, si dhe procedurat e funksionimit dhe operimit.

Skema II ofron mbështetje financiare, në formë granti për Njësitë Ekonomike të NjQV (Njësive të Qeverisjes Vendore). NjQV do të përfitojnë, nëpërmjet bashkë-financimit, në formën e grantit të drejtpërdrejtë, deri në 50% të vlerës totale të investimit, por jo më shumë se 50 milion lekë / projekt në vit.
Këto projekte do të realizohen në bashkë-financimin me aktorët rajonale (njësi vendore dhe sipërmarrje private), duke nxitur krijimin e modeleve të reja ekonomike me impakt zhvillimor si dhe krijimin e vendeve të reja të punës, sipas objektivave të politikës për zhvillimin rajonal
Kjo skemë ka për qëllim të nxisë krijimin e partneriteteve vendore dhe rajonale me partnerë publikë dhe privatë.

Objekti kryesor i këtyre 2 skemave të granteve është komplementimi i investimeve infrastrukturore nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve, me masa nxitëse ndaj aktiviteteve ekonomike brenda dhe rreth zonës së investuar, nxitja e krijimit të shoqatave të tipit BID/TID në partneritet me njësite vendore si dhe nxitja e investimeve të përbashkëta mes partnerëve publikë dhe privatë për të zhvilluar ekonominë rajonale dhe për të krijuar vende të reja pune.

Postuar: 10/13/17 10:37 AM | Perditesimi i fundit: 12/4/17 10:18 AM