Bordi i Përbashkët i Menaxhimit

Bordi i Përbashkët i Menaxhimit është një organ kolegjial, që siguron mirëfunksionimin dhe bashkërendimin e punës dhe aktiviteteve të Agjencisë Kombëtare për Zhvillimin Rajonal (AKZHR) dhe të Agjencisë për Zhvillim Ekonomik Rajonal (AZHER), duke siguruar vizionin e përbashkët dhe bashkërendimin e veprimeve e të burimeve ndërmjet dy agjencive me qëllim përmbushjen e misionit të tyre.

Bordit i Përbashkët i Menaxhimit ka në përbërjen e tij 9 anëtarë, të cilët janë:
1. Përfaqësues nga Komiteti për Zhvillimin e Rajoneve;
2. Përfaqësues nga Sekretariati i Përgjithshëm i Komitetit për Zhvillimin e Rajoneve;
3. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare për Zhvillimin Rajonal (AKZHR);
4. Drejtori i Agjencisë për Zhvillimin Ekonomik Rajonal (AZHER);
5. Katër drejtorët e Agjencive të zonave të Zhvillimit Rajonal (AZHR);
6. Drejtori i Agjencisë Kombëtarë të Planifikimit të Territorit (AKPT).

Përgjegjësitë kryesore të Bordit të Përbashkët të Menaxhimit për AKZHR-në dhe AZHER-në, janë:
a) Miratimi i buxheteve të agjencive;
b) Miratimi i programeve, projekteve të ndryshme zhvillimore dhe i planit strategjik të veprimit të agjencive;
c) Miratimi i marrëveshjeve të bashkëpunimit e të partneritetit ndërmjet agjencive dhe partnerëve të tjerë të zhvillimit;
ç) Miratimi i rregullores së organizimit e funksionimit të agjencive;
d) Miratimi i propozimit për draftstrukturën e agjencive;
dh) Shqyrtimi i raportit 6-mujor dhe vjetor të performancës së agjencive.

Kryetari i këtij bordi përzgjidhet nga vetë anëtarët e Bordit të Përbashkët të Menaxhimit (BPM).

Rregullat për mënyrën e funksionimit dhe organizimin e mbledhjeve të bordit përcaktohen në rregulloren e miratuar nga BPM-ja.

Postuar: 10/10/17 7:35 AM | Perditesimi i fundit: 11/23/17 5:21 PM